Pap-testi dhe dëshifrimi i rezultateve: Një udhëzues i plotë për shëndetin tuaj

nfografik mbi rezultatet e Pap-testit dhe Co-testing: NILM, ASCUS, CIN.

Pap-testi mbetet mjeti më efikas në mjekësinë parandaluese për zbulimin e hershëm të ndryshimeve qelizore në qafën e mitrës. Ky ekzaminim nuk diagnostikon kancerin, por identifikon qelizat që mund të shndërrohen në të tillë, shumë vite përpara se kjo të ndodhë. Nga momenti i infektimit me HPV e deri në shfaqjen e kancerit kalojnë mesatarisht 10-15 vite, çka na jep kohë të mjaftueshme për të ndërhyrë.

Përgatitja: Si të sigurojmë një kampion cilësor?

Për të marrë një rezultat sa më të saktë, rekomandohet që:

  • Testi të kryhet 10-20 ditë pas ditës së parë të periodave të fundit.
  • Të shmangen marrëdhëniet seksuale 48 orë para vizitës.
  • Të mos përdoren kremra vaginalë, ovula apo dushe vaginale dy ditë para ekzaminimit.

Si kryhet Pap-testi? (Procedura)

Gjatë vizitës, qafa e mitrës lokalizohet me anë të një speculum-i. Pasi evidentohet qafa e mitrës, procedohet me marrjen e materialit me anë të një furçe të zgjatur ose një spatule. Kryerja e pap-testit zgjat vetëm 2 minuta dhe mund të shpëtojë jetë. Sot ekzistojnë dy mënyra për përpunimin e materialit:

  1. Mënyra klasike: Materiali kalohet mbi një lamë qelqi dhe fiksohet me preparat (Citofix).
  2. Citologjia në formë të lëngshme: Furça dërgohet në një kontenier me likid special. Kjo lejon analizimin e më shumë qelizave në mikroskop dhe jep mundësinë e analizimit të HPV-së në mënyrë direkte (Co-testing), pa pasur nevojë për rimarrje të materialit.

Kur quhet i “plotë” një Pap-test?

Që një Pap-test të quhet i vlefshëm mjekësisht, në përgjigje duhet të jetë e specifikuar prania e dy lloje qelizash:

  • Qelizat skuamoze të sipërfaqes së qafës së mitrës.
  • Qelizat glandulare/endocervikale të kanalit të qafës së mitrës. Prania e të dyjave garanton që është analizuar e gjithë zona ku mund të fillojnë ndryshimet anormale.

Dëshifrimi i rezultateve: Çfarë thonë akronimet?

Kur merrni përgjigjen e Pap-testit, terminologjia e përdorur (Sistemi Bethesda) mund të duket e ndërlikuar. Ja çfarë do të thonë termat kryesorë:

  1. NILM (Negative): Rezultati ideal. Nuk janë gjetur qeliza anormale apo malinje.
  2. ASC-US: Rezultati jo-normal më i shpeshtë. Janë gjetur qeliza atipike, por shkaku është i papërcaktuar (HPV, inflamacion apo irritim). Hapi i rradhës: Shpesh kërkohet testi HPV.
  3. LSIL / CIN 1: Ndryshime të shkallës së ulët, zakonisht nga HPV. Në shumicën e rasteve, trupi e pastron vetë këtë ndryshim brenda 12-24 muajve.
  4. HSIL / CIN 2 & 3: Ndryshime të shkallës së lartë, konsiderohen “parakanceroze”. Hapi i rradhës: Kolposkopia dhe biopsia janë të domosdoshme.
  5. ASC-H dhe AGC (Atypical Glandular Cells): Tregojnë qeliza atipike (skuamoze ose glandulare) që kërkojnë vlerësim të detajuar e të menjëhershëm nga gjinekologu.

Inflamacioni dhe Infeksionet

Shpesh në rezultat shënohet prania e qelizave reaktive për inflamacione.

  • Nëse pacientja nuk ka simptoma, mund të mos bëhet asgjë ose të përdoren probiotikë vaginalë për të rindërtuar florën bakteriale.
  • Nëse rezultati specifikon infeksione nga bakteret, myku, trichomonas apo herpes, atëherë kryhet strisho vaginale dhe jepet mjekimi specifik.

Pse ka diferenca në rekomandimet për kohën e përsëritjes?

Ekziston një konfuzion: udhëzuesit shtetërorë thonë çdo 3 vite, ndërsa shumë gjinekologë insistojnë në kontrollin vjetor.

  • Kufizimet e Pap-testit: Pap-testi konvencional ka një ndjeshmëri rreth 70%. Duke e përsëritur çdo vit, mjekët synojnë të mbulojnë “hendekun” prej 30% për siguri maksimale.
  • Sistemet Shëndetësore vs. Praktika Klinike: Rekomandimet shtetërore bazohen në kosto-efektivitetin e popullatës. Në praktikën private, qëllimi është mbrojtja maksimale individuale, prandaj ekzaminimi vjetor ofron një rrjetë më të dendur sigurie.

Çfarë është Co-testing dhe pse rekomandohet?

Co-testing (bashkë-testimi) nënkupton kryerjen e Pap-testit dhe testit të HPV-së në të njëjtën kohë. Kombinimi i të dyve rrit ndjeshëm saktësinë diagnostikuese.

Këshillë: Sa shpesh duhet përsëritur kontrolli? Sipas standardeve më të fundit ndërkombëtare, nëse rezultati i Co-testing (Pap-testi + testi HPV) është negativ për të dyja, siguria juaj është maksimale. Në këtë rast, rikontrolli i rradhës rekomandohet pas 5 vitesh (për grupmoshat mbi 30 vjeç).

“Zgjedhja mes kontrollit vjetor apo çdo 3-5 viteve duhet të jetë një diskutim i hapur mes mjekut dhe pacientes, duke marrë parasysh historikun personal dhe llojin e testit të kryer.

Comments (2)

  1. Pingback: HPV dhe vaksina në Shqipëri: informacion i plotë

  2. Pingback: Kolposkopia: Çfarë është dhe pse nevojitet

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *