Seksi në plazh ose në ujë: çfarë duhet të dini

Seksi në plazh ose në ujë:
 çfarë duhet të dini përpara se ta provoni

Seksi në plazh apo në ujë mund të duket romantik, spontan dhe emocionues. Megjithatë, realiteti mund të jetë disi më pak ideal sesa skenat që kemi parë në filma. Rëra, uji i kripur, klori dhe mungesa e lubrifikimit mund të shkaktojnë irritim, dhimbje ose dëmtime të mukozës intime.

Kjo nuk do të thotë se duhet të hiqni dorë nga fantazia, por është mirë të dini çfarë rreziqesh mund të ketë dhe si t’i shmangni ato.

Rëra mund të shkaktojë irritim

Rëra depërton lehtësisht në zonën intime dhe mund të shkaktojë fërkim, irritim dhe mikroçarje të mukozës vaginale ose të lëkurës së vulvës.

Këto dëmtime të vogla jo gjithmonë janë të dukshme, por mund të shoqërohen me:

  • djegie;
  • kruajtje;
  • dhimbje gjatë ose pas marrëdhënies;
  • skuqje dhe ndjeshmëri të zonës intime.

Mikroçarjet mund ta bëjnë gjithashtu mukozën më të ndjeshme ndaj infeksioneve. Prandaj, nëse marrëdhënia ndodh në plazh, është më mirë të përdorni një peshqir ose sipërfaqe të pastër dhe të shmangni kontaktin e drejtpërdrejtë me rërën.

Uji nuk e zëvendëson lubrifikantin

Edhe pse mund të duket e kundërta, marrëdhëniet seksuale në ujë nuk janë domosdoshmërisht më të lubrifikuara.

Uji mund ta largojë lubrifikimin natyral vaginal dhe ta rrisë fërkimin gjatë penetrimit. Për pasojë, marrëdhënia mund të bëhet e parehatshme ose e dhimbshme dhe të krijojë mikroçarje të mukozës.

Nëse shfaqet dhimbje apo djegie, marrëdhënia nuk duhet të vazhdojë me forcë. Dhimbja është një sinjal se trupi ka nevojë për më shumë kujdes, lubrifikim ose ndërprerje të aktit.

Në këto raste mund të përdoret një lubrifikant me bazë vajore ose silikoni, të cilët nuk shpëlahet aq lehtë nga uji sa lubrifikantët me bazë uji.

Uji i kripur dhe klori mund të irritojnë zonën intime

Uji i detit, pishinës apo vaskës nuk është steril.

Kripa, klori dhe substancat e tjera që gjenden në ujë mund të irritojnë vulvën dhe mukozën vaginale. Klori mund të ndikojë gjithashtu në ekuilibrin natyral të florës vaginale, veçanërisht te gratë që kanë tendencë për irritime ose infeksione të përsëritura.

Pas kontaktit intim në ujë, mund të shfaqen:

  • djegie ose kruajtje;
  • ndjesi tharjeje;
  • skuqje;
  • sekrecione vaginale të ndryshuara;
  • dhimbje gjatë urinimit;
  • erë e pazakontë vaginale.

Këto simptoma nuk nënkuptojnë gjithmonë praninë e një infeksioni, pasi mund të shkaktohen edhe vetëm nga irritimi. Megjithatë, nëse vazhdojnë, përkeqësohen apo shoqërohen me sekrecione të pazakonta, rekomandohet një konsultë gjinekologjike.

A mund të përdoret prezervativi në ujë?

Po, prezervativi duhet të përdoret edhe gjatë marrëdhënieve seksuale në ujë. Uji nuk mbron nga shtatzënia dhe as nga infeksionet seksualisht të transmetueshme.

Megjithatë, përdorimi i prezervativit në ujë mund të jetë më i vështirë. Klori, nxehtësia, kripa dhe fërkimi mund të ndikojnë në qëndrueshmërinë e materialit, ndërsa uji mund të bëjë që prezervativi të rrëshqasë ose të zhvendoset.

Prezervativi duhet të vendoset përpara hyrjes në ujë dhe të kontrollohet që të qëndrojë në pozicionin e duhur. Nëse nevojitet lubrifikant, duhet zgjedhur një produkt i përshtatshëm për përdorim me prezervativë.

Lubrifikantët me bazë vaji nuk duhet të përdoren me prezervativët prej lateksi, sepse mund ta dëmtojnë materialin dhe të rrisin mundësinë e çarjes.

Siguria dhe privatësia kanë rëndësi

Përveç shëndetit intim, duhet menduar edhe për sigurinë fizike. Sipërfaqet pranë pishinës, shkëmbinjtë apo dyshemetë e lagura mund të jenë të rrëshqitshme dhe të rrisin rrezikun e rrëzimit ose dëmtimeve.

Deti, liqeni apo pishina nuk janë ambiente ku është gjithmonë e lehtë të ruhet ekuilibri dhe kontrolli i lëvizjeve. Uji mund t’i bëjë disa pozicione më të vështira dhe jo domosdoshmërisht më të rehatshme.

Gjithashtu, duhet zgjedhur një ambient privat dhe të respektohen njerëzit e tjerë, si edhe rregullat e vendit ku ndodheni.

Si ta bëni përvojën më të sigurt dhe më të rehatshme?

Nëse dëshironi ta provoni, disa masa të thjeshta mund të ndihmojnë:

  • shmangni kontaktin e drejtpërdrejtë me rërën;
  • përdorni një peshqir ose sipërfaqe të pastër;
  • përdorni prezervativin në mënyrën e duhur;
  • zgjidhni një lubrifikant të përshtatshëm;
  • mos vazhdoni nëse shfaqet dhimbje apo djegie;
  • pas marrëdhënies, shpëlajeni zonën intime me ujë të pastër;
  • ndërroni rrobat e banjës të lagura;
  • mos përdorni produkte agresive ose larje të brendshme vaginale.

Fantazia mund të realizohet edhe jashtë ujit

Shpesh, një mënyrë më e rehatshme për ta realizuar këtë fantazi është të shijoni afrimitetin në ujë, ndërsa marrëdhënien seksuale ta vazhdoni më pas në një ambient të thatë, të pastër dhe privat.

Kështu ruhet spontaniteti dhe atmosfera romantike, por zvogëlohet mundësia e irritimit, dhimbjes apo dëmtimeve të mukozës intime.

Seksi në plazh ose në ujë nuk është domosdoshmërisht i rrezikshëm, por kërkon pak më shumë kujdes dhe përgatitje. Kështu, nga momenti nuk mbeten rëra, djegia dhe dhimbja, por vetëm kujtimet e bukura.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *