Pap-testi mbetet mjeti më efikas në mjekësinë parandaluese për zbulimin e hershëm të ndryshimeve qelizore në qafën e mitrës. Ky ekzaminim nuk diagnostikon kancerin, por identifikon qelizat që mund të shndërrohen në të tillë, shumë vite përpara se kjo të ndodhë. Nga momenti i infektimit me HPV e deri në shfaqjen e kancerit kalojnë mesatarisht 10-15 vite, çka na jep kohë të mjaftueshme për të ndërhyrë.
Përgatitja: Si të sigurojmë një kampion cilësor?
Për të marrë një rezultat sa më të saktë, rekomandohet që:
- Testi të kryhet 10-20 ditë pas ditës së parë të periodave të fundit.
- Të shmangen marrëdhëniet seksuale 48 orë para vizitës.
- Të mos përdoren kremra vaginalë, ovula apo dushe vaginale dy ditë para ekzaminimit.
Si kryhet Pap-testi? (Procedura)
Gjatë vizitës, qafa e mitrës lokalizohet me anë të një speculum-i. Pasi evidentohet qafa e mitrës, procedohet me marrjen e materialit me anë të një furçe të zgjatur ose një spatule. Kryerja e pap-testit zgjat vetëm 2 minuta dhe mund të shpëtojë jetë. Sot ekzistojnë dy mënyra për përpunimin e materialit:
- Mënyra klasike: Materiali kalohet mbi një lamë qelqi dhe fiksohet me preparat (Citofix).
- Citologjia në formë të lëngshme: Furça dërgohet në një kontenier me likid special. Kjo lejon analizimin e më shumë qelizave në mikroskop dhe jep mundësinë e analizimit të HPV-së në mënyrë direkte (Co-testing), pa pasur nevojë për rimarrje të materialit.
Kur quhet i “plotë” një Pap-test?
Që një Pap-test të quhet i vlefshëm mjekësisht, në përgjigje duhet të jetë e specifikuar prania e dy lloje qelizash:
- Qelizat skuamoze të sipërfaqes së qafës së mitrës.
- Qelizat glandulare/endocervikale të kanalit të qafës së mitrës. Prania e të dyjave garanton që është analizuar e gjithë zona ku mund të fillojnë ndryshimet anormale.
Dëshifrimi i rezultateve: Çfarë thonë akronimet?
Kur merrni përgjigjen e Pap-testit, terminologjia e përdorur (Sistemi Bethesda) mund të duket e ndërlikuar. Ja çfarë do të thonë termat kryesorë:
- NILM (Negative): Rezultati ideal. Nuk janë gjetur qeliza anormale apo malinje.
- ASC-US: Rezultati jo-normal më i shpeshtë. Janë gjetur qeliza atipike, por shkaku është i papërcaktuar (HPV, inflamacion apo irritim). Hapi i rradhës: Shpesh kërkohet testi HPV.
- LSIL / CIN 1: Ndryshime të shkallës së ulët, zakonisht nga HPV. Në shumicën e rasteve, trupi e pastron vetë këtë ndryshim brenda 12-24 muajve.
- HSIL / CIN 2 & 3: Ndryshime të shkallës së lartë, konsiderohen “parakanceroze”. Hapi i rradhës: Kolposkopia dhe biopsia janë të domosdoshme.
- ASC-H dhe AGC (Atypical Glandular Cells): Tregojnë qeliza atipike (skuamoze ose glandulare) që kërkojnë vlerësim të detajuar e të menjëhershëm nga gjinekologu.
Inflamacioni dhe Infeksionet
Shpesh në rezultat shënohet prania e qelizave reaktive për inflamacione.
- Nëse pacientja nuk ka simptoma, mund të mos bëhet asgjë ose të përdoren probiotikë vaginalë për të rindërtuar florën bakteriale.
- Nëse rezultati specifikon infeksione nga bakteret, myku, trichomonas apo herpes, atëherë kryhet strisho vaginale dhe jepet mjekimi specifik.
Pse ka diferenca në rekomandimet për kohën e përsëritjes?
Ekziston një konfuzion: udhëzuesit shtetërorë thonë çdo 3 vite, ndërsa shumë gjinekologë insistojnë në kontrollin vjetor.
- Kufizimet e Pap-testit: Pap-testi konvencional ka një ndjeshmëri rreth 70%. Duke e përsëritur çdo vit, mjekët synojnë të mbulojnë “hendekun” prej 30% për siguri maksimale.
- Sistemet Shëndetësore vs. Praktika Klinike: Rekomandimet shtetërore bazohen në kosto-efektivitetin e popullatës. Në praktikën private, qëllimi është mbrojtja maksimale individuale, prandaj ekzaminimi vjetor ofron një rrjetë më të dendur sigurie.
Çfarë është Co-testing dhe pse rekomandohet?
Co-testing (bashkë-testimi) nënkupton kryerjen e Pap-testit dhe testit të HPV-së në të njëjtën kohë. Kombinimi i të dyve rrit ndjeshëm saktësinë diagnostikuese.
Këshillë: Sa shpesh duhet përsëritur kontrolli? Sipas standardeve më të fundit ndërkombëtare, nëse rezultati i Co-testing (Pap-testi + testi HPV) është negativ për të dyja, siguria juaj është maksimale. Në këtë rast, rikontrolli i rradhës rekomandohet pas 5 vitesh (për grupmoshat mbi 30 vjeç).
“Zgjedhja mes kontrollit vjetor apo çdo 3-5 viteve duhet të jetë një diskutim i hapur mes mjekut dhe pacientes, duke marrë parasysh historikun personal dhe llojin e testit të kryer.

Pingback: HPV dhe vaksina në Shqipëri: informacion i plotë
Pingback: Kolposkopia: Çfarë është dhe pse nevojitet