Një shtatzëni imagjinare mund të ndihet si një shtatzëni reale dhe ka të njejtat simptoma, por në fakt nuk është një shtatzëni, nuk ka një fetus. Prevalenca e këtij fenomeni në vendet e zhvilluara është rreth 1:22.000 lindje; por është më e shpeshtë në vendet e botës së tretë. Ky fenomen i rrallë në vetvete, bëhet mjaft real tek gruaja e cila e përjeton atë. Eshtë kaq reale, sa gruaja psikologjikisht ndihet shtatzënë dhe madje manifeston dhe simptoma fizike të shtatzënisë, si psh: mungesë menstruacionesh, zmadhim dhe dhimbje gjoksi, zmadhim i barkut, të përziera, të vjella apo edhe perceptimi i levizjeve të fetusit.
Në disa raste, gruaja që përjeton një shtatzëni imagjinare, ka nivelin e estrogjenit apo prolaktinës në gjak mbi normë. Këto mund të jenë shkaktarët e simptomave fizike të shtatzënisë.
Nga ana psikologjike, nje dëshirë e madhe për të patur një fëmijë, mund të gjenerojë simptoma të tilla.
Simptomat dhe përjetimi i shtatzënisë janë aq të vërteta, sa gruaja beson me gjithcka, se ajo që po ndodh është reale. Por, në këtë mori simptomash, mungon një element thelbësor – testi i shtatzënisë është negativ, i konfirmuar me nivelin e beta-hCG në gjak. Niveli i beta-hCG nuk është i rritur, që do të thotë se asnjë strukturë e fetusit nuk zhvillohet.
Por, cilat janë shkaqet e një gjendje të tille?
Shumica e shtatzënive imagjinare lidhen me një feedback midis trupit dhe mendjes, gjatë të cilit një gjendje e fortë emotive, indikon shfaqjen e simptomave fizike, të cilat imitojnë ato të një shtatzënie të vërtetë. Ky emocion i fortë mund ta marrë shkas nga ankthi i përjetuar për shkak të infertilitetit, apo një dhimbje të madhe që pason humbjen e një shtatzënie. Në raste të tilla, një dëshirë kaq e fortë nga ana emocionale, pasqyrohet me një ndikim jashtëzakonisht shumë të madh nga ana fizike, duke gjenruar simptomat e shtatzënisë edhe pse fetusi nuk ekziston. Në thelb, besimi se gruaja është shtatzënë, shërben si mbrojtje ndaj përballjes me realitetin ku ajo jeton; duke i dhënë shpresë dhe duke minimizuar dhimbjen, ndjenjën e humbjes, xhelozinë apo depresionin që shoqërojnë humbjen e një shtatzënie apo trajtimin e gjatë të infertilitetit.

Në disa raste, një tumor i vezoreve apo gjendrrës së hipofizës, mund të jetë shkaku i crregullimeve hormonale, zmadhimit të barkut apo mungesë së menstruacioneve.
Nga ana tjetër depresioni i lidhur me infertilitetin apo humbjen e një shtatzënie mund të jetë faktor risku, për zhvillimin e një shtatzënie imagjinare.
Në një shtatzëni imagjinare, gruaja vazhdon të mohojë faktet se ajo nuk është shtatzënë, se nuk ka një fetus i cili po zhvillohet. Eshtë tmerresisht shumë e vështirë për të, të pranojë realitetin, pasi kjo do e ekspozojë atë me të gjitha problemet e saj psikologjike – pikëllimin, mërzitjen, ankthin, xhelozinë – nga e cila po mundohej të mbronte veten e vet. Duhet një ekip multidisiplinar, për ta ndihmuar të dalë nga kjo gjendje, duke kuptuar para së gjithash se nëpër cfarë situate/traume po kalon ajo. Mbështetja emocionale është esenciale për të pranuar realitetin.
Nga ana e stafit mjekësor duhet bërë diferenca midis pseudocyesis dhe deluzionit të shtatzënisë, e cila shoqëron disa sëmundje të shëndetit mendor, si psh skizofrenia.
