Aborti spontan është një nga komplikacionet më të shpeshta në shtatzëni. përkufizohet si humbja e një shtatzënie para javës së 20-të. Është një përvojë e vështirë, si fizikisht ashtu edhe emocionalisht, por njëkohësisht është më i shpeshtë sesa mendohet.
Rreth 10–20% e shtatzënive të konfirmuara përfundojnë me abort spontan, dhe rreth 80% e tyre ndodhin në tremujorin e parë, kryesisht deri në javën e 12-të të shtatzënisë. Në shumicën e rasteve, shkaku lidhet me anomali kromozomale të rastësishme që ndodhin gjatë ndarjes qelizore dhe nuk mund të parandalohen.
Ky artikull shpjegon çfarë është aborti spontan, cilat janë shkaqet më të shpeshta, si menaxhohet dhe çfarë duhet të dini për shtatzënitë e ardhshme.
Cilat janë shkaqet e abortit spontan?
Shkaku më i shpeshtë i abortit spontan në tremujorin e parë janë anomalitë kromozomale të embrionit. Këto ndodhin rastësisht gjatë ndarjes qelizore dhe zakonisht nuk përsëriten në shtatzënitë e ardhshme.
Megjithatë, në disa raste aborti spontan mund të lidhet me:
– Çrregullime hormonale (progesteroni, tiroidja)
– Diabet të pakontrolluar
– Probleme anatomike të mitrës (p.sh. septum uterin)
– Infeksione të caktuara
– Trombofili në raste të përzgjedhura
– Obezitet (BMI >30)
– Përdorim të barnave të caktuara
Në shumicën e rasteve, një abort i vetëm nuk nënkupton problem kronik.
Cilat janë simptomat e abortit spontan?
Simptomat më të zakonshme të abortit spontan janë:
Gjakderdhja vaginale, që mund të jetë e lehtë ose e bollshme, dhe dhimbjet abdominale të ngjashme me dhimbjet menstruale, por shpesh më intensive.
Është e rëndësishme të theksohet se jo çdo gjakderdhje në shtatzëni do të thotë abort. Në shumë raste, shtatzënia mund të vazhdojë normalisht.
Diagnoza vendoset me ekografi dhe, në raste të caktuara, me ndjekje të vlerave të beta-hCG.
Çfarë ndodh pasi konstatohet ndalimi i rrahjeve të zemrës?
Kur në ekografi konstatohet se zemra e bebes ka ndaluar së rrahuri, përjetimi është emocionalisht i rëndë. Në këtë moment, vendimi për mënyrën e menaxhimit merret së bashku me pacienten, duke marrë parasysh javën e shtatzënisë, gjendjen klinike dhe preferencën e saj.
Në shtatzënitë deri në javën e 10–11 ekzistojnë disa mundësi.
Njëra është pritja natyrale, duke lejuar që organizmi ta fillojë vetë procesin. Koha e pritjes është individuale dhe mund të zgjasë deri në disa javë. Gjatë kësaj periudhe, nëse shfaqen dhimbje shumë të forta, gjakderdhje e bollshme ose temperaturë, duhet paraqitje e menjëhershme në spital.
Një alternativë tjetër është përdorimi i medikamenteve që stimulojnë tkurrjen e mitrës dhe zgjerimin e qafës së saj. Në shumë raste, kjo metodë mund të realizohet edhe në kushte shtëpie, me udhëzime të qarta mjekësore dhe kontroll të mëvonshëm.
Disa paciente preferojnë që procesi të zhvillohet në spital. Në këto raste, aborti mund të realizohet me medikamente në ambient spitalor ose me ndërhyrje kirurgjikale (aspirim/kuretazh). Ndërhyrja kirurgjikale është e shpejtë dhe zakonisht e sigurt, por mbetet procedurë invazive.
Në shtatzënitë mbi javën e 10–11, zakonisht rekomandohet menaxhimi në spital. Fillimisht përdoren medikamente. Ndërhyrja kirurgjikale merret në konsideratë nëse ka gjakderdhje të rëndë, shenja infeksioni ose nëse medikamentet nuk japin rezultat. Në shtatzënitë mbi 12 javë, shpesh rekomandohet edhe pastrim kirurgjikal për të shmangur komplikacionet
A do të kem një shtatzëni të suksesshme më pas?
Kjo është një nga pyetjet më të shpeshta pas një aborti spontan.
Në shumicën dërrmuese të rasteve, përgjigjja është po. Mbi 80% e grave që kanë pasur një abort spontan do të kenë një shtatzëni të suksesshme më vonë.
Një abort i vetëm zakonisht nuk kërkon analiza të thelluara. Vlerësimi i detajuar rekomandohet zakonisht pas dy ose tre aborteve të njëpasnjëshme.
Kur duhen bërë analiza të mëtejshme?
Në rast abortesh të përsëritura mund të sugjerohet:
Vlerësim hormonal, kontroll për diabet, ekografi për strukturën e mitrës dhe analiza të tjera sipas rastit.
Edhe në këto situata, me ndjekje të duhur mjekësore, shumë gra arrijnë të kenë shtatzëni të suksesshme.
Kur mund të planifikohet shtatzënia tjetër?
Nga ana fizike, cikli menstrual zakonisht rikthehet brenda 4–6 javësh. Nuk ka prova të forta që një shtatzëni e re duhet të shtyhet për shumë muaj, përveç rasteve me indikacion mjekësor specifik.
Megjithatë, aspekti emocional është po aq i rëndësishëm sa ai fizik. Çdo grua ka ritmin e saj të përpunimit të humbjes.
Një mesazh i rëndësishëm
Aborti spontan, në shumicën e rasteve, nuk është rezultat i një veprimi apo mosveprimi të nënës. Stresi i zakonshëm, aktiviteti fizik i moderuar apo lëvizjet e përditshme nuk janë shkaktarë tipikë të humbjes së shtatzënisë.
Mbështetja emocionale dhe komunikimi i hapur me mjekun janë pjesë e rikuperimit.
Aborti spontan është një përvojë e vështirë, por relativisht e shpeshtë. Në shumicën e rasteve lidhet me faktorë biologjikë të rastësishëm dhe nuk përsëritet domosdoshmërisht.
Me informim të saktë, menaxhim të duhur dhe mbështetje emocionale, shumica e grave arrijnë të kenë shtatzëni të shëndetshme në të ardhmen.
“Lexoni gjithashtu: Analizat e para në shtatzëni”
