Çfarë është një polip endometrial dhe si krijohet?

Ilustrim anatomik i mitrës me një polip endometrial brenda kavitetit.

Polipet endometriale janë ndër gjetjet më të shpeshta gjatë vizitave rutinë gjinekologjike Për shumë gra, dëgjimi i këtij termi mund të nxisë menjëherë pasiguri apo shqetësim. Sidoqoftë, është e rëndësishme të sqarohet që në fillim se polipet e mitrës janë formacione jashtëzakonisht të zakonshme dhe në shumicën dërrmuese të rasteve janë krejtësisht beninje. Megjithatë, për shkak të ndikimit që mund të kenë në ciklin menstrual, në komoditetin e përditshëm apo edhe në fertilitet, kuptimi i drejtë i tyre është hapi i parë drejt kujdesit të duhur shëndetësor.

Në këtë artikull do të trajtojmë në mënyrë të detajuar se çfarë janë polipet endometriale, përse krijohen, cilat janë shenjat paralajmëruese që nuk duhen injoruar dhe si bëhet trajtimi i tyre sipas standardeve më moderne mjekësore.

Çfarë është në të vërtetë një polip endometrial?

Për të kuptuar se si krijohet një polip, ndihmon të njohim pak anatominë e mitrës. Pjesa e brendshme e mitrës është e veshur nga një shtresë e posaçme që quhet endometrium. Kjo shtresë reagon çdo muaj ndaj ndryshimeve hormonale: ajo trashet për t’u përgatitur për një shtatzëni të mundshme dhe, nëse fekondimi nuk ndodh, shkëputet e largohet nga trupi gjatë menstruacioneve.

Ndonjëherë, qelizat e kësaj shtrese pësojnë një mbirritje të lokalizuar. Kjo rritje e tepërt krijon një formacion egzofitik që quhet polip endometrial. Polipet mund të jenë me madhësi të ndryshme — nga disa milimetra (sa një farë susami) deri në disa centimetra (sa një kokërr rrushi apo më e madhe). Ato mund të jenë teke ose të shumta dhe ngjiten në murin e mitrës përmes një baze të gjerë ose përmes një kërcelli të hollë (pedunkul).

Përse krijohen polipet? Faktorët e rrezikut dhe roli i hormoneve

Mekanizmi kryesor që nxit zhvillimin e polipeve endometriale është stimulatori hormonal, në mënyrë të veçantë estrogjeni. Estrogjeni është hormoni përgjegjës për rritjen dhe trashjen e endometriumit gjatë pjesës së parë të ciklit menstrual. Polipet përmbajnë receptorë të shumtë të estrogjenit, çka do të thotë se ato reagojnë ndaj tij duke u rritur më shpejt se indet përreth.

Edhe pse çdo grua mund të zhvillojë një polip endometrial gjatë jetës së saj riprodhuese apo më pas, ekzistojnë disa faktorë që rrisin probabilitetin e formimit të tyre:

  • Ndryshimet lidhur me moshën: Polipet janë më të shpeshta te gratë e moshës 30 deri në 50 vjeç, si dhe gjatë periudhës së perimenopauzës dhe menopauzës, kur ekuilibri hormonal pëson luhatje të ndjeshme.

  • Obeziteti dhe mbipesha: Indit dhjamor në trup vepron si një organ aktiv endokrin që prodhon estrogjen shtesë, duke rritur kështu ekspozimin e mitrës ndaj këtij hormoni.

  • Tensioni i lartë i gjakut: Studimet klinike tregojnë një lidhje midis hipertensionit arterial dhe pranisë së polipeve endometriale.

  • Terapia me medikamente të caktuara: Përdorimi i Tamoxifen-it, një ilaç i indikuar shpesh për parandalimin ose trajtimin e kancerit të gjirt, mund të nxisë trashjen e endometriumit dhe formimin e polipeve.

Cilat janë simptomat më të zakonshme?

Një pjesë e konsiderueshme e grave me polipe endometriale nuk përjetojnë asnjë shqetësim. Në këto raste, polipi zbulohet krejt rastësisht gjatë një ekografie rutinë gjinekologjike. Sidoqoftë, kur polipet japin simptoma, ato lidhen kryesisht me çrregullimet e gjakderdhjes.

Ndër shenjat më karakteristike përmendim:

  • Gjakderdhje e çregullt ose e bollshme: Menstruacionet mund të bëhen më me shumë fluks se zakonisht, të zgjasin më shumë ditë ose të vijnë në intervale të paparashikueshme.

  • Spotting (pikëzime gjakderdhjeje): Shfaqja e spottings ose gjakderdhjeve të lehta midis dy cikleve menstruale është një nga treguesit më tipikë të pranisë së një polipi.

  • Gjakderdhje pas marrëdhënieve seksuale: Ngacmimi mekanik mund të shkaktojë gjakderdhje të lehtë nëse polipi është i vendosur afër kanalit të qafës së mitrës.

  • Gjakderdhje pas menopauzës: Kjo është një simptomë që kërkon vëmendje të menjëhershme mjekësore. Çdo gjakderdhje e shfaqur pas hyrjes në menopauzë duhet të vlerësohet pa vonesë nga mjeku gjinekolog.

  • Ndikimi në fertilitet: Polipet endometriale mund të pengojnë procesin e implantimit të vezës së fekonduar në murin e mitrës ose mund të bllokojnë hyrjen e tubave të Fallopit, duke u bërë kështu një pengesë për arritjen e një shtatzënie.

Si vendoset diagnoza?

Me teknologjinë e sotme diagnostikuese, identifikimi i një polipi endometrial është një proces i shpejtë, preciz dhe kryesisht pa dhimbje.

Procesi diagnostikues zakonisht ndjek këto hapa:

  1. Ekografia Transvaginale (TVUS): Është ekzaminimi i parë bazë. Përmes sondës vaginale, mjeku merr pamje të qarta të mitrës dhe mund të vërejë trashje të dyshimta ose formacione brenda kavitetit.

  2. Sonohisterografia (SIS): Nëse ekografia e thjeshtë lë dyshime, përdoret sonohisterografia. Gjatë këtij procedure, në kavitetin e mitrës injektohet një sasi e vogël tretësire fiziologjike sterile. Kjo bën që muret e mitrës të hapen lehtësisht, duke lejuar vizualizimin e qartë të kufijve të polipit dhe bazës së tij.

  3. Histeroskopia: konsiderohet metoda më e saktë për ekzaminim. Përmes një kamere shumë të hollë që futet përmes qafës së mitrës, mjeku sheh drejtpërdrejt brendësinë e mitrës në ekran, duke konfirmuar praninë, madhësinë dhe numrin e polipeve. Gjatë histeroskopisë bëhet e mundur edhe heqja e polipeve nën kontrollin viziv. 

Qasja ndaj trajtimit: A duhet hequr gjithmonë polipi?

Mënyra e menaxhimit të një polipi endometrial nuk është e njëjtë për çdo paciente. Vendimi për trajtim varet nga disa faktorë individualë, përfshirë praninë e simptomave, madhësinë e polipit, moshën e pacientes dhe planifikimin e shtatzënisë.

  • Strategjia e vëzhgimit: Për polipet e vogla (më të vogla se 1 cm) te gratë pa simptoma dhe para menopauzës, shpesh rekomandohet thjesht ndjekja periodike me ekografi. Disa nga këto polipe mund të regresojnë ose të largohen vetvetiu gjatë deskuamimit menstrual (menstruacioneve).

  • Trajtimi kirurgjikal (Histeroskopia Operative): Kur polipi shkakton gjakderdhje, është i madh, pengon shtatzëninë apo shfaqet te një grua në menopauzë, rekomandohet heqja e tij. Standardi i artë sot është histeroskopia operative. Kjo është një procedurë minimale invazive, ku përmes kameras dhe instrumenteve të posaçme polipi hiqet me saktësi pa asnjë prerje të jashtme.

Çdo material i hequr gjatë histeroskopisë dërgohet gjithmonë për ekzaminim histopatologjik (biopsi). Ky hap është i domosdoshëm për të konfirmuar me 100% saktësi natyrën beninje të indit.

A mund të rikrijohet një polip pas heqjes?

Po, ekziston një mundësi e vogël që polipet të rishfaqen me kalimin e kohës, veçanërisht te gratë që kanë predispozitë hormonale apo faktorë rreziku të vazhdueshëm. Vizitat e rregullta rutinë ndihmojnë në kapjen e çdo ndryshimi të ri në kohë.

Në më shumë se 95% të rasteve, polipet endometriale janë krejtësisht beninje. Sidoqoftë, një përqindje e vogël e tyre mund të përmbajë qeliza atipike ose prekancerogjene. Rreziku është pak më i lartë te gratë në periudhën e menopauzës ose te ato që kanë gjakderdhje të vazhdueshme e të patrajtuar, prandaj ekzaminimi anatomopatologjik është gjithmonë i rekomanduar.

Këshilla përfundimtare

Përkujdesja ndaj shëndetit riprodhues fillon me dëgjimin e sinjaleve që jep trupi juaj. Nëse vëreni ndryshime në ciklin menstrual, gjakderdhje të pazakontë midis periodave apo shqetësime të tjera, caktimi i një vizite gjinekologjike është hapi më i mirë. Me diagnostikimin e hershëm dhe teknikat moderne si histeroskopia, trajtimi i polipeve endometriale është i thjeshtë, i sigurt dhe me rikuperim shumë të shpejtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *